Ekzekutohet me 8 plumba në Bruksel kunati i Erion Alibejt

38-vjeçari Ardit Spahiu u ekzekutua mbrëmjen e së premtes në Belgjikë. Më orgjinë nga Elbasani, Spahiu u qëllua me 8 plumba në lagjen Molembek të Bruksel, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Sipas mediave vendase ai u qëllua me një arme me silenciator në një zonë mjaft të populluar të qytetit.

Por Ardit Spahiu është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është arrestuar në vitin 2010 për vrasjen e Gëzim Alikajt në Elbasan.

Për këtë ngjarje u arrestuan edhe 3 persona të tjerë, por Spahiu fitoi lirinë. Vrasja e Gëzim Alikajt dyshohet se erdhi për hakmarrje, për shkak të një ekzekutimi që kishte ndodhur në Spanjë më herët.

Ardit Spahiu është kunati i Erion Alibejt, të arrestuarit kryesor të vrasjeve që kanë ndodhur muajt e fundit në Elbasan. Ai dyshohet ka porositur edhe vrasjet e Emiljano Ramzanit dhe Regis Runajt në muajin Korrik në Elbasan.

Lidhja e Ardit Spahiut me Erion Alibejn, rikthen edhe njëherë në vëmendje përplasjet e muajve të fundit në Elbasan, ku janë vrarë 3 persona, si dhe janë bërë disa atentate.

Spahiu jetonte pa një leje qëndrimi në Belgjikë dhe sipas mediave atje, dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme.

Tv Klan