Hapet Qendra e Integruar ADISA

Hapet Qendra e Integruar ADISA

13:12 19/07/2019

Veliaj: “Po krijojmë vizionin e Tiranës policentrike; shërbimet më afër qytetarëve. Braçe: Ndryshimet, falë qeverisë dhe bashkisë”

Qytetarët e Kombinatit do t’i marrin më shpejt dhe më afër shërbimet e kërkuara. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen financiare të BB, ka hapur Qendrën e Integruar ADISA në zonën e Kombinatit, e cila ofron mbi 368 shërbime publike, përfshirë edhe shërbimet vendore të bashkisë, përmes dy sporteleve të dedikuara.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv. Kryeministri Erjon Braçe dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan mjediset e reja dhe theksuan se vëmendja e Bashkisë së Tiranës dhe e qeverisë është për të çuar shërbimin tek qytetarët. “Ky bashkëpunim mes qeverisë qendrore me qeverisë lokale e sheh rezultatin në këtë hapësirë. Dilema është: shkojnë njerëzit te shërbimet, apo shërbimet te njerëzit? Besoj sot jemi përgjigjur qartë: shkojnë shërbimet ku janë njerëzit, shkon shteti te njerëzit, shkon qeveria, bashkia, deputetët, dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë shërbime konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Me zgjidhjen e kësaj dileme kemi një hapësirë të transformuar për Njësinë 6”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se në këto 4 vite, Kombinati është transformuar dhe sot ka jo vetëm çerdhe, kopshte e shkolla të reja, por edhe shërbime më pranë. “Ne diskutonim jo vetëm sjelljen e këtyre shërbimeve, por faktin që qindra dhe mijëra fëmijë, çdo mëngjes, duhet të kalonin jo Tiranën, por 21-shin, për të kapur një kopsht, një shkollë, një çerdhe. Sot me shkollën e re, me kopshte të reja, me çerdhet e reja, qindra furgonë që shkonin e vinin dhe harxhonin kohë, jetë njerëzish e shpenzuar në trafik, i ka shërbimet këtu. Nuk kemi neglizhuar jo vetëm të gjallë, por as ata që nuk jetojnë më në varrezat e Kombinatit”, tha Veliaj.

Një nga projektet e Bashkisë së Tiranës që do të marrë jetë këtë katërvjeçar është edhe krijimi i Tiranës policentrike, ku përfshihet qendra e Kombinatit. Për këtë, Bashkia e Tiranës do të zhvillojë një konkurs për sheshin “Garibaldi”. “Me gjithë këto ndërtesa të trashëgimisë industriale shqiptare, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet me ndërrimin e sistemit, duam që ta kthejmë pjesën e Kombinatit në një pjesë jo vetëm që të ruhet, por  të restaurohet. Ata që i kanë zënë në vitet e fundit këto ndërtesa, do të trajtohen në një mënyrë sociale, pra o me një bonus qiraje, o me kredi të butë, ose me një banesë sociale. Duhet që ky shesh që është, le të themi, simbolikë e asaj që kemi si vizion i Tiranës policentrike, të materializohet. Do të kemi tre konkurse: Kinostudio, Kombinat dhe Laprakë”, tha kryebashkiaku.

Duke vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme në këto projekte, Veliaj garantoi se ndryshimi do të vijojë në çdo zonë të Tiranës. “Dje ishim te blloku “Misto Mame”, ndërkohë ka mbaruar blloku “Musine Kokalari”; është si efekt domino, pra çdo ditë nga një punë konkrete. Nëse ecim me këtë ritëm, siç e kemi kthyer krenari të qenit nga “Bregu i Lumit” apo të qenit nga Lapraka ose Kinostudio, shumë shpejt të qenit nga “Misto Mame”, nga Kombinati, nga “Fabrika e Qelqit”, nga “Musine Kokalari”, do të jetë realisht subjekt krenarie”, deklaroi Veliaj.

Rritja e gamës së shërbimeve dhe përmirësimi i cilësisë së këtyre shërbimeve ka qenë synimi i Bashkisë së Tiranës gjatë këtyre 4 viteve. Krahas shërbimeve të Bashkisë së Tiranës çelja dhe funksionimi i Qendrës së Integruar ADISA në zonën e Kombinatit, do të ofrojë përmes 18 sporteleve të saj shërbimet për 7 institucionet më të kërkuara si: Agjencia Shtetërore e Kadastrës; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH); Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC); Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB); Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT); Posta Shqiptare. Gjithashtu, do të ofrohen të gjitha shërbimet e ALEAT për pajisjen e qytetarëve me kartë identiteti dhe pasaportë Biometrike, shërbimet e platformës qeveritare: e-albania ku së fundmi përfituesit e shërbimeve do të kenë mundësi për të marrë shërbime të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, si dhe përcjelljen e ankesave nëpërmjet portalit ShqipëriaQëDuam.al./tvklan.al

Të ngjashme
UKT