Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj thotë se kufijtë e Kosovës ndryshohen vetëm me luftë. Në këtë mënyrë, ai e shprehu për të parën herë gjatë një konference për shtyp, qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës si pjesë e debatit të këtyre ditëve në Kosovë e Serbi.

“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim… Këto kufij janë vendosur nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këto janë kufij lufte. Ajo çfarë ka mbetur me Serbinë është njohja e Kosovës me këta kufij”.

Për Haradinajn, zgjidhja e vetme e çështjes së Kosovës është njohja e pavarësisë nga Serbia në kufijtë aktualë. Ky është edhe varianti për të cilin presidenti Hashim Thaçi po diskuton me Serbinë në procesin e dialogut, për të cilin Haradinaj shpreh mbështetjen. Sipas Haradinajt, ndryshimi i kufijve është në dobi vetëm të interesave ruse në Ballkan.

“Ndryshimi i kufijve i intereson vetëm Vladimir Putinit. Në kontinentin tonë nuk ka tjetër kujt që i intereson. Ne nuk i takojmë hartës së tij. Ne i takojmë një bote tjetër, që e udhëheq Amerika, e ne nuk i përshtatemi lojërave të tij, nuk i luajmë kufijtë”.

Ndërkohë, sipas mediave kosovare, Presidenti Hashim Thaçi është shprehur se në Shtator do të nisë një diskutim i hapur për referendumin që do t’i hapë rrugë bashkimit të Preshevës me Kosovën. Siç shkruan e përditshmja “Zëri” qytetarët do të pyeten nëse janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën.

Thaçi citohet të jetë shprehur se vullneti masiv i qytetarëve të Kosovës dhe i banorëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është në favor të kësaj ideje.

“Në rast se ka pajtim mes dy palëve për këtë kërkesë askush nuk do të jetë kundër, as SHBA-të e as BE-ja

”, citohet të ketë thënë presidenti i Kosovës.

Tv Klan