Opinion-Hashim Thaçi, ish-lideri politik i UÇK, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që prej vitit 1999, është përballur me një panel analistësh në emisionin “Opinon” në Tv Klan.

Emisioni ishte fokusuar tek zgjedhjet në Kosovë dhe statusin final të vendit. Ndërkohë analistët Baton Haxhiu, Milazim Krasniqi, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati pyetën liderin PDK lidhur me ndryshimet në parti.

“Këto zgjedhje janë historike për vendin, jemi në prag të pavarësisë dhe kjo na jep një mundësi unike për vendin. Këto zgjedhje e lehtësojnë, përshpejtojnë dhe fuqizojnë të drejtën tonë që komuniteti ndërkombëtar të njohë sa më shpejt të jetë e mundur pavarësinë e Kosovës. Funksionimi i demokracisë e ndihmon njohjen ndërkombëtare të pavarësisë nga BE dhe Ushaington. Për pavarësinë e Kosovës ne kemi qenë të përgatitur dhe Partia Demokratike e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm për unifikimin e spektrit politike duke zbehur rolin e vet opozitar por dukje qenë po ashtu shumë aktive. Ajo që më bën të ndihem entuziast është vullneti i qytetarëve të Kosovës për ndryshime sepse edhe PDK ka ndryshuar për mirë dhe ka bashkuar intelektualë duke e bërë këtë parti një lëvizje të gjerë. Ne kemi ndryshuar për të mirën e Kosovës dhe vizioni ynë është shumë i pranueshëm”, tha Thaçi./tvklan.al

Të ftuar: Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Milazim Krasniqi, Armand Shkullaku, Andi Bushati.