Përgjatë këtyre ditëve në urgjencën e spitalit të Krujës janë paraqitur mbi 500 banorë që kanë shfaqur shenja të ngjashme të helmimit me pacientët e shtruar. Sipas drejtoreshës, qytetarët kanë ardhur nga zona të ndryshme të Krujës dhe lagje të ndryshme të qytetit, raporton gazetarja e Klan News.

Gjatë ditës së sotme, situata paraqitet më e qetë dhe ka rënie të fluksit të personave që kërkojnë shtrim apo ndihmë nga urgjenca. Ka pasur disa raste pacientësh që pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar për në banesë, por të nesërmen janë rikthyer pasi kanë shfaqur probleme të tjera shëndetësore.

Në rastin e rikthimit në spital, kanë pasur të njëjtat shenja, kur kanë marrë ndihmën e parë janë ndierë mirë, por pasi kanë shkuar në banesë dhe një ditë më pas, kanë vazhduar të kenë shenja të të njëjtit problem, sipas Klan News.

3 të rritur dhe dy fëmijë ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve. Në analizat paraprake është prohuar se ka pasur një prezencë më të madhe të amoniakut me ujë, çka ka sjellë marrjen e masave nga ana e Ujësjellësit të Krujës, i cili aktualisht nuk furnizohet me ujë të pijshëm dhe është ndërprerë derisa të dalin rezultatet e analizave të plota që do të përcaktojnë shkakun e helmimit masiv të banorëve.

Ndërkohë, prokuroria e Krujës përgjatë kësaj dite ka nisur një hetim për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, ku hetuesit janë paraqitur pranë urgjencës dhe kanë marrë nën administrim disa dosje që do të shërbejnë për zbardhjen e shkaqeve dhe zbulimit të shkaqeve pas pohimeve të pacientëve që ujin e çezmës e konsumonin edhe për të pirë./tvklan.al