Henri Çili do të hetohet në gjendje të lirë



Henri Çili do të hetohet në gjendje të lirë

16:40 07/04/2020

SPAK lë në fuqi masën detyrim paraqitje

Gjykata kundër krimit dhe korrupsionit vendosi të hetojë në gjendje të lirë botuesin Henri Çili duke lenë në fuqi masën e dhënë më parë nga Gjykata e aplit në Gjirokastër.

Hetimet nisën në Përmet, por gjykata vendosi të shpallë moskompetencë duke e transferuar dosjen në prokurorinë e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.

Çili u arrestua në muajin shkurt pas operacionit “Mezhgorani”, ku u vunë në pranga edhe 30 persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati Ilir Korbi dhe ndërtuesi Besnimk Fishti.

Vetëm për këta të fundit gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

 Operacioni nisi fillimisht për falsifikim kartëmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Sipas prokurorisë Çili dyshohet se, mori përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në vitin 2015 në Lazarat.

Në hetime ka rezultuar se, botuesi është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar tek një anëtar i sistemit të drejtësisë, për lirimin e vëllezërve Aliko.

Ndaj Çilit rëndojnë 6 akuza, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i parave.

Pak ditë pas lirimit nga Gjykata e Përmetit, Çili në një dalje për mediat si zotërues i 75% të aksioneve të “Legal studio” mohoi të ketë ndërhyrë për lirimin e vëllezërve Aliko.

AI hodhi poshtë edhe akuzat për mashtrim, falsifikim dhe pastrim të veprës penale.

Tv Klan






Të ngjashme