Hetimet e nisura nga Prokuroria lidhur me tenderin e madh Durrës-Kukës-Morinë ka qenë tema e kësaj jave që po mban “peng” pothuajse të gjithë vëmendjen mediatike. Rruga Durrës-Kukës-Morinë është një prej investimeve më të mëdha të 100 viteve të fundit, një rrugë që ka një kosto prej 1 miliardë eurosh.

Procedurat e tenderimit të një prej segmenteve të kësaj rruge, Rrëshen-Kalimash ka ngjallur mjaft debate dhe Prokuroria ka marrë 3 të pandehur, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve si dhe ka publikuar emrin e katërt, i cili është ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm Lulzim Basha.

Prokuroria ka nisur të marrë në pyetje nënpunësit e lartë, Armand Teliti, Andi Toma dhe Lejla Saraçi të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “abuzim me fondet publike” gjatë investimeve të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Për të diskutuar mbi këto ngjarje ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ministri i Jashtëm Lulzim Basha. Ai u shpreh se ky lajm është pasaktësi dhe farsë e krijuar nga PS dhe segmente të caktuara të Prokurorisë.

“Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, në momentin që do të ndërmerret do të jetë publike. Ky lajm është pasaktësi e gazetares së kronikës së lajmeve që ju shfaqët. Në kuadër të sinkronizimit të plotë të Partisë Socialiste me segmente të veçanta të Prokurorisë e kanë bërë këtë gjë çështje. Projekti i Rrugës Durrës-Kukës-Morinë është një projekt historik i përmasave të papara deri më tani dhe është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin në Shqipëri. E gjithë farsa që luhet sot nëpër media është e kurdisur nga PS me segmente të veçanta të Prokurorisë”, tha Basha./tvklan.al