Hetimet për vrasjen në Tiranë në vendnumëro



Hetimet për vrasjen në Tiranë në vendnumëro

16:10 28/02/2021

Shpresa e vetme, gëzhojat e gjetura në vendngjarje

Hetimet për vrasjen e Behar Sofisë 3 ditë më parë, në mes të Tiranës, janë në vendnumëro. Burime nga grupi hetimor i thanë Tv Klan se ende nuk ka asnjë provë apo të dhënë konkrete për personin që bëri ekzekutimin e 66-vjeçarit.

Edhe kamerat e sigurisë nuk kanë ndihmuar policinë për të krijuar një profil të vrasësit. Hetuesit e lidhin këtë me dyshimin se kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, i cili ka ndjekur për disa ditë Behar Sofinë pranë banesës së tij.

Autori është kujdesur gjatë gjithë kohës që të mos e tregojë fytyrën duke mbajtur maskë antiCovid, si dhe ka përdorur doreza në ditën kur është bërë ekzekutimi.

E vetmja provë, e cila mund të ndihmojë hetuesit janë dy gëzhoja që janë gjetur pranë Lumit Lana dhe që janë çuar në Laboratorin Kriminalistik. Ato do të verifikohen nëse kanë gjurmë, apo janë përdorur për të larguar vëmendjen e hetuesve.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar te konfliktet e së shkuarës për drogën, por deri më tani nuk ka persona të ndaluar për t’u marrë në pyetje që mund të kenë patur konflikte me 66-vjeçarin.

Behar Sofia ka qenë i arrestuar 23 vite më parë për një sasi heroine. Ai është cilësuar si person kyç në trafikun e drogës nga Turqia drejt Shqipërisë, por sipas dëshmive të familjarëve nuk ka patur kërcënime kohët e fundit.

Tv Klan







Të ngjashme