Opinion-Pirro Dhima ishte vetëm 19 vjeç e gjysmë, kur futi në xhepin e tij një pasaportë kuq e zi me vizë greke dhe udhëtoi drejt Athinës. Ai kishte premtimin e presidentit grek të Peshëngritjes, që të stërvitej me ekipin kombëtar grek, pa e ditur se po shkonte për të hyrë përfundimisht në historinë e vendit fqinj.

Njëkohësisht, ai po hapte një hendek të thellë dhe ende problematik me vendlindjen e tij. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 31.03.2005, Dhima tregon se në vitet 90-të, shumë sportistë po largoheshin nga vendi dhe se ai ishte i fundit në ekipin e tij që la Shqipërinë.

Unë ika i fundit nga ekipi i “17 Nëntori”. Në Gusht isha në Korçë me ekipin kombëtar. 16 veta kishin hyrë nëpër ambasada, kishin ikur në Gjermani, Itali dhe Holandë. Kishim mbetur unë, trajneri Zef Kovaçi dhe Lenc Gogo. Gjendja ishte shumë e vakët, nuk behej stërvitje, na merrte Zefi me zor. Por edhe ai filloi ta shikonte se dhe ne nuk donim më të stërviteshim. Në atë periudhë, të gjithë mundoheshin të largoheshin. Në ndeshjen e fundit unë isha në Turqi dhe kur u ktheva shokët e mi, me të cilët mblidheshim tek Rruga e Elbasanit më thanë: Po ti o gomar pse u ktheve. Gjendja ishte e tillë, të gjithë mundoheshin të iknin”,tregoi Dhima.

Historia e peshëngritësve shqiptarë do të bëhej më pas çështje e rëndësishme e mosmarrëveshjeve, por edhe e mërisë mes dy vendeve. Ose më mirë të thuhet, e mërisë shqiptare ndaj vendit fqinj. Shqiptarët kanë besuar gjithnjë se grekët në një farë mënyre kanë kryer një “grabitje”, jo thjeshtë për faktin se disa nga sportistët tanë më të mirë si Luan Shabani, Viktor Mitro, Agim Xhelili apo Mirela Manjani konkurruan për ngjyrat greke, por edhe sepse shumica e tyre u detyrua të modifikojë emrat dhe origjinën e tyre.

Pirro Dhima ka qenë padyshim targeti kryesor i kritikave, mërisë dhe pse jo, edhe urrejtjes shqiptare. Pasi fitoi medaljen e tretë të artë në Sidnej, në Tetor të vitit 2000, gjatë ndeshjes Shqipëri-Greqi një banderolë e madhe binte në sy me sloganin: “Pirro tradhtar, ne jemi shqiptar”.

Banderola i referohej një deklarate ku dyshohej se Pirro Dhima kishte mohuar origjinën. Me dhimbjen që i ka shkaktuar ai mbishkrim, Pirro thotë se nuk e ka bërë kurrë atë deklaratë.

Nuk e di kush e ka mohuar, e ndjej veten sikur jam në gjyq, si i akuzuari. Unë u linda në Tiranë, jetova 19 vjet në Shqipëri, kam shokë dhe nuk mohohen të gjitha gjërat. Mora shumë gjëra nga Shqipëria, kisha shumë trajnerë si Bujar Bodinakun, Faik Nebiajn, Zef Kovaçin, Tole Shaqirin, mund t’i mohosh këto? Mua më ka marrë malli. Kam mbaruar shkollën e mesme bujqësore dhe aty kalova vitet më të bukura. Isha i ri, 16 vjeç. Më thonë shokët se ka ndryshuar Tirana, janë bërë shumë gjëra dhe unë po mundohem t’i mendoj si mund të jenë”, tha Dhima (Shih videon, minuta 23:06).

Vështirë që dikush tjetër të jetë përfolur, kritikuar e mallkuar më shumë se sa Pirro Dhima në vendin e tij, por pakush mund të thotë se cila do të ishte alternativa e tyre më e mirë./tvklan.al