Një ngjarje horror ka ndodhur sot në Krujë: Një nënë 42-vjeçare ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës foshnjën e saj të porsalindur.

Policia njofton se 42-vjeçarja e ka lindur foshnjen rreth mëngjesit të ditës së sotme në ambientet e banesës së saj dhe ka ngritur pretendimin se fëmija kishte lindur pa shenja jete. Më pas, ajo e ka futur në qese foshnjen dhe e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës.

Pas marrjes së informacionit për ngjarjen, policia nën drejtimin e Prokurorisë ka ndaluar 42-vjeçaren me iniciale L.K., banuese në Tapizë për veprën penale “vrasja e foshnjes”. Pas orësh kërkimi, është gjetur trupi i pajetë foshnjës së porsalindur. Ndërkohë, detaje të tjera kanë në dritë në lidhje me ngjarjen tronditëse.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se 42-vjeçarja, është e martuar dhe nënë e 5 fëmijëve, të gjithë nën 20 vjeç. Fëmijën e ka lindur në kushte shtëpie dhe askush nuk e ka ditur që është shtatzënë. Madje edhe bashkëshorti i saj ka deklaruar para uniformave blu se nuk e dinte që gruaja e tij ishte shtatzënë.

Pasi gruaja ka shkuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore, është zbuluar që ka qenë shtatzënë. Fillimisht para hetuesve ka pretenduar se foshnja ka lindur e vdekur dhe për këtë arsye e ka hedhur në lumë, por që nuk e mbante mend vendin ku e ka hedhur, por disa orë më vonë ajo ka rrëfyer.

Hetuesit kanë dyshime për vërtetësinë e deklaratës së saj që fëmija ka lindur i vdekur dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale të vrasjes. Nuk dihet shkaku që fshihet pas këtij veprimi, por nuk përjashtohet mundësia që fëmija të jetë nga një marrëdhënie jashtëmartesore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Njoftimi i Policisë:

Krujë | Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen L. K., 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale “Vrasja e foshnjes”.

Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


/tvklan.al