Hotele pa plazhe në bregdet

Hotelet në Vlorë kane nisur prej dy javesh funksionimin e tyre por plazhi ende nuk lejohet.

Për operatorët turistik dhe administratorët e hoteleve, rregullat e reja në kushtet aktuale kanë krijuar një situatë paradoksale.

“Ky është një paradoks i madh duke parë që edhe temperaturat janë në rritje dhe klientët e parë që po fillojnë të vijnë nëpër hotele dhe e gjejnë plazhin mbyllur. Ne si hoteleri e shikojmë më shumë si problem sepse një hotel pa plazhin nuk kemi as si ta justifikojmë as te klienti”.

“Përsa u përket plazheve patjetër që duhet të hapen sepse një pushues që vjen në verë, normalisht kokën te plazhet e ka”.

Kontaktet me Ministrinë e Turizmit kanë qenë të vazhdueshme, por ende nuk ka një datë të konfirmuar për hapjen e plazheve.

“Deri tani nuk na është thënë një ditë e caktuar por jemi në pritje. Me Ministrinë e Turizmit kemi gati çdo ditë këtë javë që po kërkojmë një datë sepse edhe ne kemi për të bërë përgatitjet tona në sektorin e plazhit”.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, Bashkia e Vlorës thotë se është në pritje të një njoftimi zyrtar mbi funksionimin dhe menaxhimin e plazheve nga hotelet apo funksionimin e plazheve publike dhe se kur do të hapen.

Tv Klan