Nga qelia e burgut, Jorgo Goro i akuzuar për “shpërdorim detyre” në 2 raste ka dhënë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Bashkisë Himarë. Përmes një shkrese drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës, Goro ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut. Goro e nis shkresën duke falenderuar qytetarët për besimin që i kanë dhënë për vite me radhë në krye të Bashkisë Himarë.

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba mbeta këto kohë lidhur në detyrë me legjitimitet të cunguar formal dhe moral. Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Pa përmenduar emra, Jorgo Goro ka disa fjalë dhe për kundërshtarin e tij politik, Fredi Belerin, i cili po ashtu gjendet pas hekurave të qelisë për “korrupsion në zgjedhje”.

“Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.

Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje. Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën.”

Për fitoren e Belerit si kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, Goro thotë se zullumi i fitores me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ata që dëgjohen në media për hetimin. Megjithatë, Goro thotë se e vetmja gjë që do është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia tradicionale mes vendeve të mos bëhet peng i ca spekullantëve lokalë.

“Por di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin. E vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh të mos bëhet pengu i ca spekullantëve lokalë të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj. Dhe për të shkuar tek turizmi, Himara dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.”

Nga fundi i shkresës së tij, Goro e cilëson arrestimin e tij si një situatë absurde me drejtësinë për një faj që thotë se nuk e ka bërë. Më tej, Goro shprehet se akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim me zyrtarë në Vlorë për të cilët thotë se nuk ka asnjë lidhje.

“Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral.”

Goro e mbyll njoftimin duke i falenderuar të gjithë himariotët dhe thotë se ata janë arsyeja pse ai dorëhiqet nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot.

“Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!”

Prokuroria e Posaçme e akuzon Jorgo Goron për shpërdorim detyre në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, ky i fundit me masë “arrest shtëpie”, kanë përcjellë te institucione të tjera dokumentet të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mije metër katrorë, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Më pas, kjo pronë është shitur te investitorët  duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.


SHKRESA E PLOTË E JORGO GOROS:

Drejtuar: 

Këshillit Bashkiak Himarë

Për dijeni:

Prefektit të Qarkut të Vlorës

Të nderuar,

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba mbeta këto kohë lidhur në detyrë me legjitimitet të cunguar formal dhe moral. 

Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.

Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje. Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën.

Por di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin. E vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh të mos bëhet pengu i ca spekullantëve lokalë të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj. Dhe për të shkuar tek turizmi, Himara dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.

Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral. 

Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

Me shumë respekt,

Jorgo Goro


/tvklan.al