Policia e Tiranës njoftoi të martën arrestimin e një 18-vjeçari, si dhe shpalljen në kërkim të një kushëririt të tij 30-vjeçar, pasi akuzohen se shantazhonin një vajzë të re me foto personale. Në pranga përfundoi Afrim Kurti, 18 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall Dëfrim Kurti, 30 vjeç.

Sipas policisë, këta persona “në bashkëpunim kanë shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënie pasurie, një shtetase, me qëllim t’i përvetësonin shumën prej 15.000 lekësh të reja, për mospublikimin e fotove të saja në rrjetet sociale”.

Viktimë e këtij shantazhi mësohet se ka rënë e dashura e 30-vjeçarit Dëfrim Kurtit, e cila pasi njoftoi policinë la takim me ta për t’i dhënë paratë që kërkonin. Për të marrë “gjobën” shkoi kushëriri i Dëfrimit, Afrim Kurti, i cili u arrestua.

Ndërkohë, Dëfrim Kurti tashmë ndodhet në kërkim. Por kush është 30-vjeçari, i cili nuk është një emër i panjohur për policinë e publikun.  

Në foto: Dëfrim Kurti dhe ish-bashkëshortja Elida Cani

Në 2019-n, Dëfrim Kurti ishte lënë në arrest me burg për vrasjen e Arben Gjecit. Ky i fundit u vra pasi kishte lidhje me Elida Canin, në atë kohë bashkëshorte e Dëfrim Kurtit. Tradhtinë e gruas e kishte zbuluar vetë Dëfrimi dhe ia kishte treguar kunatit të tij, Esat Cani, i cili e masakroi Gjecin me levë duke i marrë jetën. /tvklan.al

(Video e ngjarjes së ndodhur në 2019-n)