I vodhën kasafortën, flet pronari: Autorët na kërcënuan me jetë, dyshoj për dikë në lagje



I vodhën kasafortën, flet pronari: Autorët na kërcënuan me jetë, dyshoj për dikë në lagje

10:27 20/10/2020

“Hajdutët ndërruan edhe këpucët, morën të mamit dhe lanë atletet e veta”

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus publikoi pamjet e kamerave të sigurisë se si dy persona të maskuar grabitën një kasafortë me para në shtëpin e familjes Allmuça në Farkë të Madhe.

Për emisionin Uniko ka folur djali i familjes, i cili ka thënë se banesa e tyre është tentuar të vidhet edhe dy herë të tjera, por ka dështuar për shkak se brenda shtëpisë ka qenë nëna e tij. Ai thotë se hajdutët e kanë kërcënuar me jetë.

“Është hera e tretë që këta dy persona tentojnë të hyjnë në shtëpinë time. Kanë tentuar të hyjnë më përpara, po ka qëlluar që kemi qenë ne në shtëpi edhe në moment që kemi dalë dhe kemi ndezur dritat, ata na kërcënuan me jetë. Më kanë kërcënuar mua dhe kanë thënë që do të vras Albanin. I kanë thënë mamit tim. Mami dhe del hap dritat, edhe në moment që dëgjon zhurmat, edhe mami trembet në atë moment dhe nuk bën lëvizje të tjera. Kanë hyrë deri në shtëpi, por në moment që ka qëllu mami, janë larguar. Ishte ora 6 e mëngjesit dhe mami po dilte për punë. Zakonisht e pret autobusin që vjen deri tek shtëpia. Kanë qenë mbrapa duke e ruajtur dhe kanë pritur momentin që të iki. Në momentin që ka mbyllur derën, kanë hyrë brenda nga gardhi dhe kanë ardhur brenda shtëpisë. Një moment gjatë vjedhjes, ka pasur lëvizje njerëzish dhe i kanë dëgjuar zhurmat dhe kanë ndaluar për disa momente. Në momentin që kanë vërtetuar që s’ka pasur njeri në shtëpi, kanë thyer dritaren dhe kanë hyrë brenda dhe kanë marrë kasafortën që ishte me të ardhurat që kishte kursyer mami, kursimet familjare, rreth 10 milionë Lekë”.

Djali i familjes shprehet se pasi morën kasafortën, hajdutët lanë në vendngjarje një kaçavidë, që nga ekspertiza është zbuluar një gjurmë ADN-jë. Jo vetëm kaq, por dy autorët lanë këpucët e tyre dhe morën këpucët e nënës së tij.

“E kanë gjetur kasafortën dhe e kanë çarë me kaçavidë. Kanë lënë dhe kaçavidën aty, e cila gjatë ekspertizës të bërë nga policia, ka nxjerrë një gjurmë ADN-je. Kanë ndërruar edhe këpucët. Kanë marrë këpucët e mamit dhe kanë lënë atletet e veta”.

Ai kërkon nga policia që të zbardhet ngjarja dhe t’i kthehet pas shuma e parave të vjedhura.

“Duke parë dhe situatën e vjedhjes tregon që janë të zonës. Njëri prej tyre ngjan me dikë këtu në lagje besoj unë. Ndihem shumë i rrezikuar sepse jemi kërcënuar me jetë. Me thënë të drejtën, kam dhe frikë të lëviz. Nuk i kam bërë dikujt keq, por s’ka drejtësi, mund të ndodhë diçka. Unë s’kam pasur konflikte me asnjë. Jam shumë i respektuar edhe shkoj mirë me të gjithë. Kërkoj të gjenden autorët”.  /tvklan.al




Të ngjashme