Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ish-kryeministri Ilir Meta dhe drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zhvilluar një takim me simpantizantë socialistë të Tiranës së Re. Gjatë fjalës së tij, Meta është ndalur në dështimet e qeverisë Nano, papunësinë, varfërinë, mungesën e investimeve, uljen e ritmeve të zhvillimit ekonomik, si dhe të reformave në kuadër të procesit integrues në BE.

Ilir Meta: “Çdo ditë njihemi me abuzime të përbindshme të pronës publike, të parave të taksapaguesve tanë të varfër, të kontributit që kanë dhënë në vite brezat e shqiptarëve të thjeshtë, që nga Albtelecom-i, e deri tek skandali i fundit i Kakomesë. Ndonëse ekonomia kombëtare rritet statistikisht, shpërndarja e saj bëhet gjithnjë e më e padrejtë dhe diskriminuese dhe përfituesit e saj janë grupe të lidhura me pushtetin. Investimet publike kanë pësuar një rënie të ndjeshme dhe për pasojë kemi dhe mungesë të shërbimeve publike cilësore. Investimet e huaja direkte janë në rënie që nga viti 2001 dhe nuk mbulohen dot nga propaganda mashtruese, që synon mbulimin e aferave të prokurimeve të drejtpërdrejta, apo koncesioneve klienteliste dhe abuzive. Siguria publike ëhstë në gjendje të mjerë. Përveç dështimeve në luftën ndaj krimit të organizuar, ku Shqipëria vazhdon të klasifikohet si një vend me probleme serioze, tashmë është rishfaqur rrezikshëm edhe krimi i ordiner”.

Ilir Meta, Sabit Brokaj, Sokol Nako, Mustafa Muçi, Dritan Prifti, Petrit Vasili, kanë prezantuar gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Tiranës së Re, objektivat e LSI, duke garantuar se kjo lëvizje është gjithëpërfshirëse ndryshe nga partia qeverisëse./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani