Në programin “Kombinat Show”, u diskutua mbi shtypin e shkruar në Shqipëri, impaktin dhe ndryshimin e tij ndër vite.

Botuesi i gazetës “Koha jonë” dhe politikani Nikoll Lesi u shpreh se kjo gazetë, duke qenë gazeta e parë private, është munduar të jetë sa më pranë qytetarit.

“Në vitet ’91-’98, gazeta ‘Koha jonë’ sipas meje ishte mbreti i shtypit të shkruar, pastaj zbriti nga piedestali se u fut qoftë biznesi legal, qoftë ai ilegal. Ajo kishte më shumë një idealizëm, profesionalizëm e shpirt për të kritikuar të keqen e atyre viteve. Por kjo nuk do të thotë që tani ka humbur idealizmi. Përveçse një shkollë, që ka nxjerrë shumë kuadro, që punojnë sot në televizione kombëtare ose në gazeta të ndryshme, jemi munduar që të shkojmë drejt qytetarit. Akoma nuk pretendoj që mund të kemi arritur suksesin e plotë, por kjo është një punë që do kohë dhe aq më tepër që media mundohet të jetë një hap përpara shoqërisë, por ndonjëherë ecën paralel me politikën, ekonominë dhe gjithë shoqërinë shqiptare”.  

Botuesi i gazetës “Shekulli’ dhe biznesmeni Koço Kokëdhima e sheh shtypin një biznes me kritere që duhen respektuar.

“E vetmja rrugë që ne kemi është t’i shërbejmë klientëve, qytetarëve që ne të mund të kemi zhvillim. Shtypi është një produkt specifik, ne e shohim si një biznes. Kështu që blerësit e shtypit për ne janë klientë. Sigurisht ky, si një produkt specifik, ka një fushë veprimi, ka disa kritere që duhet të respektojmë dhe ne përpiqemi t’i respektojmë ato”.

Ndërsa për ish-botuesin e gazetës “Dita informacion”, analistin dhe gazetarin Shpëtim Nazarko shtypi nuk është për të fituar para, por për moral.

“Pas vitit ’90 shumë njerëz si unë, disa si idealistë e disa si aventurierë, provuan të gjithë erën e lirisë. Ajo që mendoj unë është se gazeta nuk është tërësisht biznes. Unë s’mund të merrja para nga piramidat për një arsye shumë të thjeshtë, gazetën e kisha bërë për moral. Po të ishte për para do të kisha zgjedhur sektorin e ndërtimit ose ndonjë sektor tjetër”.

Përsa i përket ndikimit të politikës në media, botuesi i gazetës “Panorama” dhe biznesmeni Irfan Hysenbelliu tha: “Po t’i shohësh shumë media, të cilët kanë ardhur edhe drejt tkurrjes dhe një ndër arsyet është sepse shpesh herë ato kanë marrë drejtime të caktuara. Ne jemi dëshmitarë, me përjashtim të gazetës ‘Koha jonë’, e cila ka qenë gazeta e parë private, një shkollë dhe një iniciativë për të gjitha gazetat e tjera, pasi në atë kohë ka qenë shumë e vështirë të shkruaje për qeverinë. Gjatë kohës, mediat i kanë kthyer drejtimin e tyre sipas ndryshimit të pushteteve ose më saktë të poltiikës. Unë mund t’jua them me sinqeritet që mua pothuajse nuk më bie telefoni në këtë drejtim”.

Ndërsa drejtuesi i gazetës “Albania” dhe gazetari Ylli Rakipi tha se gazeta nuk është vetëm lajmi, por një kompleks, liria e të cilit duhet respektuar.

“Kur flasim për pavarësi, është një nocion relativ. Pavarësia ime është që të ndihmoj atë që mendoj unë. Gazeta nuk është vetëm lajmi, është një kompleks. Unë të jem i lirë të bëj atë që dua, por nuk është anarshi. Sigurisht që raporti i lirisë me ligjin është një raport që duhet respektuar edhe në vendin tonë që ende nuk kemi një shtet në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ende sot në librat që lexojnë sot studentët e shkollave të gazetarisë nuk ka një përcaktim të saktë dhe të qartë nëse është profesion gazetaria, shumëkush thotë që nuk është. Edhe bota e qytetëruar është në një diskutim të madh a është gazetaria profesion dhe është marrë si njësi mase e vërteta”.                                                 

Për publicistin, hulumtuesin dhe editorialistin Ardian Klosi arsyeja kryesore se pse rinia shqiptare nuk e preferon shtypin e shkruar është mungesa e kulturës së leximit në Shqipëri.

“Është mëse e vërtetë që sot sundon televizioni. Arsyeja kryesore është mungesa e një kulture të vërtetë leximi, një tradite të vërtetë që të vjen gazeta në shtëpi dhe do ta hapësh duke pirë kafenë. Për mendimimin tim shtypi ynë ka diçka luftarake. Shumë funsionarë mediash, përshtypja ime, i shohin organet e tyre si mjete luftarake, bateri artilierie. Po ta vësh re ia dikton kollaj një gazete kampin politik apo kampin e atyre që mbështesin. Ka një frymë shumëluftarake që e mban larg rininë. Rinia do qetësi, gëzim dhe ndoshta këtë gjë ka filluar t’ia japë televizioni”.

Sipas showgirl dhe këngëtares Alketa Vejsiu rinia preferon revistat, por ato kushtojnë dhe jo të gjithë i kanë mundësiië për t’i blerë.

“Unë jam dakord që edukata e leximit imponohet, por mendoj që problemi i rinisë shqiptare është që nuk ka para në xhep, pasi nuk ka punë dhe një revistë i kushton shumë. Rinia ka më shumë prirje ndaj revistave sepse janë më interesante dhe atraktive, ndërsa në gazeta dominon politika.”/tvklan.al