Industria e muzikës përballë pandemisë


Industria e muzikës përballë pandemisë

10:05 13/08/2020

Pandemia e koronavirusit ka patur një ndikim të madh tek muzikantët profesionistë. Ndërsa janë anuluar koncerte, festivale, turne dhe zhvillime të tjera në mbarë botën, shumë muzikantë profesionistë dhe kompozitorë që mbështesin jetesën nga shfaqjet tashmë gjenden në një situatë të vështirë financiare. Por disa prej tyre thonë se këto sfida paraqesin gjithashtu edhe mundësi.

Një përzjerje e zjarrtë muzikore e përcjellë nga grupi “Scythian” me qëndër në kryeqytetin Uashington argëton shumë njerëz në rrjetin social Facebook dy herë në muaj. Në muajin mars grupi filloi të trasmetonte interpretimet e tij përmes telefonit në internet. Por tani grupi përdor pajisje profesionale për transmetim në internet përmes asaj që quhet ‘Quaranstream’. Danylo Fedoruka është themelues i grupi “Scythian”.

Çdo postim me video do të ketë rreth 15 ose 20 festivale dhe qendra muzikore që do të bashkëpunojnë dhe ndajnë muzikën me ne. Zakonisht kemi rreth 50 mijë shikues për çdo postim. Ne nuk paguhemi për shikimet por u kërkojmë njerëzve të dhurojnë para, dhe ata kanë qënë tepër bujarë. Kështu kemi mbijetuar deri tani

Jo vetëm që grupi varet kryesisht nga festivalet, por ata po planifikonin festivalin e gjashtë vjetor të muzikës “Bluegrass” në malet e Virxhinias që tërhoqi 8 mijë njerëz vitin e kaluar, thotë Danylo Fedoryka themelues i grupit “Scythian”.

Argëtimi nuk është ndikuar kurrë nga recesioni. Grupi ynë i ka mbijetuar dy recesioneve. Kur ekonomia është keq, njerëzit duan të dalin dhe të harrojnë. Kishim plane të mira për këtë vit por papritur gjithçka ndryshoi. Por nëse vazhdojmë të shtojmë bazën e ndjekësve në internet përmes ‘Quaranstreams’, atëherë u kthehemi festivaleve dhe më shumë njerëz do të mësojnë për grupin tonë.”

Andrew Kraus i njohur për koncertet me piano me qendër në Merilend, po transmeton në Facebook një serial muzike klasike të quajtur “Respite”. Ai thotë se gjithmonë i ka këshilluar studentët që të kenë burime dytësore të ardhurash. Por suksesi i tij në internet varet nga audienca.

Nëse dëshironi që artistët të jenë në gjendje të prodhojnë muzikë, ju duhet të na mbështesni. Sepse nëse punojmë 18 orë diku tjetër atëherë ne nuk kemi energjinë apo kohën e duhur dhe përfundimisht ekspertizën për të prodhuar ndonjë gjë që ju do të donit të dëgjoni.”

Këshilla e zotit Kraus për muzikantët është që të mos humbasin shpresat dhe të mësojnë në internet.

Është pak ndryshe, por ju mund të mësoni ta përdorni atë teknologji që të jetë në shërbimin tuaj. Kjo është koha e duhur për këtë, është sezoni i verës. Fëmijët kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë shumë mundësi për të shkuar diku. Kjo është koha për të reklamuar veten.”

Mësimdhënia tani është bërë fokusi i këngëtares së operas Antonina Chehovska e cila jeton në qytetin e Nju Jorkut.

Ndërtova një studio dhe fillova markën time sepse jam në atë stad që e di se çfarë po bëj. Nuk kam famë botërore. Por e di se çfarë po bëj, jam këngëtare.”

Muzikantët pajtohen se nëse industria mbijeton, pas pandemisë do të duket krejt ndryshe dhe padyshim që muzikantët do të jenë në gjendje të zhvillojnë një qasje të re krijuese./VOA




Të ngjashme