Instituti i Statistikave raporton se paga mesatare mujore bruto, pra duke përfshirë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, gjatë tremujorit të dytë 2021 është 56.710 lekë, duke u rritur me 4,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

INSTAT raporton se gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 36,7% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Tregtisë; transportit; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ka rritjen më të madhe prej 9,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme; Aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike; Aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0,7 %.

Në aspektin e grup profesioneve INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Menaxherëve është 74,3% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve është 38,7% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2021, paga për grup-profesionin e Punëtorëve ka rritjen më të madhe prej 8,9% kjo lidhet edhe me detyrimin e rritjes së  pagës minimale,  ndërsa për grup-profesionin e Nëpunësve ka një rritje më të vogël, prej 0,6%.

Klan News