“Janë po aq të rrezikuara sa ato amerikane”

Presidenti iranian, Hasan Rohani, paralajmëron se edhe trupat europiane janë të rrezikuara në Lindjen e Mesme, po aq sa trupat amerikane.

“Sot ushtarët amerikanë janë në rrezik, nesër ushtarët europianë mund të jenë në rrezik”.

Sipas mediave ndërkombëtare, Rohani e bëri deklaratën në një mbledhje qeverie, pasi fuqitë europiane si Gjermania, Franca dhe Britania ashpërsuan qëndrimin ndaj Teheranit për shkeljen e vazhdueshme të pikave të marrëveshjes bërthamore në 2015-s, prej të cilës Shtetet e Bashkuara janë tërhequr.

Republika Islamike ka paralajmëruar se do ta detyrojë ushtrinë amerikane të largohet nga Lindja e Mesme, pas vrasjes së komandantit të gardës revolucionare Kasem Sulejmani.

Autoritetet iraniane arrestuan një person, i cili ka xhiruar momentet e goditjes së gabuar me raketa të avionit ukrainas nga ushtria iraniane në Teheran, ku humbën jetën 176 persona. Kjo video amatore e publikuar së fundi tregon se avioni u godit nga dy raketa dhe jo nga një. Irani po heton nëse incidenti, që është pjesë e tensioneve të fundit SHBA-Iran, lidhet me ndërhyrje të qëllimshme të huaja.

Tv Klan