Ish-presidenti katalanas Carles Puigdemont bashkë me 5 ministra të kabinetit të tij rajonal, ka kërkuar azil politik në Belgjikë.

Lajmi vjen nga mediat spanjolle të cilat raportojnë se Puigdemont udhëtoi këtë të hënë drejt kryeqytetit belg, pak përpara se kryeprokurori i përgjithshëm spanjoll të formulonte akuzat ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.

Azili politik për ish-drejtuesit katalanas megjithatë mund të mos pranohet. Siç shkruan e përditshmja “El Mundo”, azili për shtetasit e janë vendi tjetër europian pranohet kur ai shtetas vuan nga persekutimi në vendin e tij dhe nuk ka mundësi të mbrohet, çka nuk është rasti i Puigdemont dhe politikanëve të tjerë.

Më herët gjatë ditës kryeprokurori i përgjithshëm spanjoll ngriti akuzat për rebelim dhe kryengritje ndaj presidentit katalans, vepra penale që në Spanjë dënohen deri në 30 vjet burg.

Zyrtarët katalanas kanë prodhuar krizë institucionale që kulmoi me shpalljen e njëanshme të pavarësisë, në shkelje të plotë të kushtetutës, thuhet në akt-akuzën e prokurorisë spanjolle. Megjithatë kryeprokurori sqaroi se nuk ka kërkuar masën e arrestit për presidentin Puigdemont dhe bashkëpunëtorët e tij. Sipas tij, vendimi i takon gjykatës së Madridit, e cila do të dëgjojë të pandehurit përpara se të shprehet.

Kryeministri Rahoi po tenton një stafetë të ngadaltë institucionale në Katalonjë, që shkarkimi i krerëve rajonalë të mos i ngjajë një pushtimi të Katalonjës e për të mos provokuar rezistencë popullore./Tv Klan