Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur këtë të diel në Piacenza të Italisë, ku një burrë ka vrarë me thikë bashkëshorten në sy të djalit.

Sipas “Tgcom24” krimi makabër ka ndodhur rreth orës 16:00 në apartamentin ku jetonte familja me origjinë shqiptare në Viale Dante, afër qendrës historike të qytetit.

“Ansa” raportoi se gjithçka ndodhi në kuzhinën e familjes, para syve të djalit të tyre 17-vjeçar, i cili më pas telefonoi policinë.

Media nuk e dha të plotë identitetin e çiftit shqiptar, por saktësoi se burri ishte i moshës 57 vjeçare ndërsa gruaja 52-vjeçe.

Adoleshenti u shoqërua për të dhënë dëshminë e tij në polici. Mësohet se marrëdhënia e çiftit është përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e kohës deri në vrasjen e gruas me tri goditje me thikë në qafë.

Në momentin që karabinierët mbërritën në vendngjarje autori ishte larguar, por më vonë ai iu vetëdorëzua autoriteteve. /tvklan.al