Koalicioni i qendrës së djathtë dhe Lëvizja 5 Yjet kanë nisur përpjekjet për të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Por ato duhet të ulen fillimisht për të negociuar me partitë e tjera parlamentare për të siguruar votat e nevojshme, pasi nga zgjedhjet parlamentare të së dielës asnjë forcë nuk mori mjaftueshëm vota për formimin e qeverisë. 

Në dhomën e ulët mbeten ende 23 vende të papërcaktuara nga 630 në total. Koalicioni i qendrës së djathtë ka deri tani 260 vende, lëvizja 5 Yjet 221. Për shumicën qeverisëse duhen 316 vota. Ndërsa në senatin 320 vendësh, qendra e djathtë ka 58 vende e 44 Lëvizja 5 Yjet. Mbeten 7 vende të papërcaktuara.

Por mandatin për formimin e qeverisë e pretendojnë si Lëvizja 5 Yjet që u rendit e para si parti, ashtu edhe qendra e djathtë që kryeson si koalicion. Presidenti Serxho Matarela është në pritje të zyrtarizimit të rezultatit, përpara se të ndërmjetësojë mes partive politike për koalicionet pas-zgjedhore.  

Kreu i Lega Nord, Mateo Salvini u shpreh i bindur se qendra e djathë e drejtuar prej tij nuk do të bashkëpunojë me 5 yjet, sepse shumicën qeverisëse do ta arrijë e vetme. Po ashtu Mateo Renci, kryetari në ikje i demokratëve tha se partia e tij ka vendosur të qëndrojë në opozitë. Për daljen nga ngërçi konstitucionalistët shohin si mundësi që presidenti të përzgjedhë njërin nga krerët e dy dhomave parlamentare për një qeveri të përkohshme ose shpalljen e zgjedhjeve të reja, që rrallë kanë ndodhur në një kohë kaq të shkurtër.

Tv Klan