Në SHBA e Britani, shifrat më të ulëta që prej Shtatorit

Italianët u zgjuan këtë të Hënë mes një tjetër bllokade për frenimin e përhapjes së Covid-19. Në më shumë se gjysmën e rajoneve, në 11 prej tyre nisi aplikimi i rregullave të ashpra të zonës së kuqe, që parashikon mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo-jetike, veç ushqimoreve dhe farmacive. Banorëve u lejohet dalja nga shtëpitë për blerjet e përditshme, për arsye shëndetësore ose punë. Pjesa tjetër prej 9 rajonesh janë të gjitha në zonën portokalli, ku janë të mbyllura baret, restorantet dhe aktivitetet e kohës së lirë, ndërsa qarkullimi i njerëzve ndalohet gjatë natës nga ora 22 deri në 5.

Edhe Pashkët e këtij viti, italianët do i festojnë të mbyllur në shtëpi, pasi i gjithë vendi do të jetë zonë e kuqe për tre ditë nga 3 deri në 5 Prill. Italia ka hyrë në një valë të tretë të përhapjes së Covid-19, teksa rastet ditore mbi 20 mijë që prej fillimit të këtij muaji.

Nga kjo e Hënë edhe rajoni që përfshin Varshavën në Poloni, më i populluari në gjithë vendit hyn në bllokadë, për shkak të nisjes së valës së tretë të përhapjes. Problematike situata edhe në Çeki e Hungari. Në Shtetet e Bashkuara, niveli i infektimeve ditore ka arritur në kuotat më të ulëta prej Shtatorit, ashtu si edhe në Britaninë e Madhe.

Tv Klan