Izraeli vazhdon fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës



Izraeli vazhdon fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës

12:24 17/05/2021

Izraeli ka vazhduar edhe të hënën në mëngjes fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës, pavarësisht thirrjeve për t’i dhënë fund luftës.

Aeroplanët luftarakë izraelitë ndërmorën 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor.

Përmes një deklarate, Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se “avionët luftarakë po godasin objektivat e terroristëve në Rripin e Gazës”.

Ushtria tha se ka shkatërruar 15 kilometra tunele të militantëve si dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të pretenduar të Hamasit.

Një ndërtesë trekatëshe në Gaza është dëmtuar rëndë, por banorët thanë se ushtria izraelite i paralajmëroi ata 10 minuta para sulmit, dhe të gjithë u evakuuan. Sulmet e fundit ajrore, kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe kanë dëmtuar qindra ndërtesa.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se sulmet do të vazhdojnë me “forcë të plotë” dhe do të “marrin kohë”.

E diela, dita më vdekjeprurëse në Gaza

Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve me Izraelin.

Nga sulmet ajrore izraelite janë vrarë më shumë se 40 njerëz, thanë zyrtarët. Ushtria e Izraelit thotë se ka shënjestruar udhëheqësit dhe infrastrukturën e lidhur me Hamasin. Lëvizja islamike, Hamas, e cila konsiderohet terroriste nga Izraeli, lëshoi një seri raketash drejt Izraelit jugor brenda natës dhe gjatë pasdites.

Miliona izraelitë u grumbulluan në strehimore.

Ushtria e Izraelit thotë se militantët palestinezë kanë qëlluar më shumë se 3,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë javës së kaluar.

Dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet me raketa që kur filluan luftimet të hënën e kaluar, ka thënë Izraeli.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e KS të OKB-së?

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent për të diskutuar situatën në Lindje të Mesme por 15 anëtarët nuk ishin në gjendje të bien dakord mbi një deklaratë të përbashkët.

Shtetet e Bashkuara një aleat i fortë i Izraelit thuhet se bllokuan masën, duke besuar se do të ishte e padobishme në procesin diplomatik.

Në takimin e së dielës, ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-ja ishte e gatshme të ofronte mbështetje “nëse palët kërkojnë një armëpushim”.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, foli për sulmin e së shtunës në një kamp refugjatësh, i cili vrau 10 anëtarë të së njëjtës familje.

“Izraeli shpesh na kërkon të vendosim veten në vendin e tyre”, tha ai, duke shtuar, “por ata nuk kanë veshur këpucë. Ata janë të veshur me çizme ushtarake”.

Klan News







Të ngjashme