Guvernatori: Mund të kthehet në rrezik, kur operohet në tregje të parregulluara dhe të pambikqyrura

Edukimi financiar është shumë i rëndësishëm tek popullata e veçanërisht duhet të bëhet që në moshë të vogël. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në nisje të Javës së Parasë ku bëri dhe një bilanc të transaksioneve bankare gjatë 2023.

“Po t’i referohemi vetëm vitit 2023 ne shohim që rritja e numrit të transaksioneve elektronike, pagesave elektronike ka shkuar në një nivel shumë të lartë, rreth 48 milion pagesa elektronike me një rritje prej 24% nga viti i mëparshëm, por të dhënat e përfshirejs financiare si pasojë e punës për edukimin financiar janë edhe më të mira duke ju referuar një shifre prej 70% të popullatës shqiptare me llogari bankare pra që punon me banka.”

Sejko u shpreh se bankingu online aq sa ka avantazhe mbart edhe rreziqe, duke filluar nga vjedhja e të dhënave apo dhe risku i humbjes së parave nga llogaria.

“Ne synojmë që të përfshijmë më tej, më shumë akoma nga popullata shqiptare jo vetëm në drejtim të përfshirjes financiare, por edhe të rritjes së numrit të produkteve bankare. Dihet që në kohën e sotme risia për sistemin financiar, sistemin bankar në të gjithë botën është dixhitalizimi. Ne dimë të mirat e banking-ut onlinë. Në ditët e sotme dimë benefitet, uljen e kostove, shpejtësinë e veprimeve, por nga ana tjetër ka edhe mjaft rreziqe.”

Java e Parasë e organizuar nga Banka e Shqipërisë do të zgjasë 2 javë ku në fokus do të jenë aktivitete sensibilizuese e informuese në shkolla për edukimin financiar.

Klan News