Një nënë e pikëlluar ka përshkruar dhimbjen që ka përjetuar, duke parë vuajtjen e djalit të saj 10 – vjeçar, i cili po vdiste nga një kancer i paoperueshëm.

Djali i Ben dhe Sarah Pullen, Silas u diagnostikua me një tumor malinj dhe agresiv të trurit, në Gusht të vitit 2012.

Dy vitet e fundit të jetës së tij i kaloi nëpër spitale, duke i rezistuar trajtimeve intensive, por vetëm pak pas Krishtlindjeve të vitit 2014 ai ndërroi jetë.

Sarah ka shkruajtur një libër, ku ka dokumentuar luftën e familjes së saj, në mënyrë që të pranonte humbjen dhe të rrëfente historinë e një djaloshi të guximshëm dhe të qeshur. Ajo ka zbuluar gjithashtu reagimin e saj kur i është dhënë lajmi nga mjeku dhe fjalët e fundit të Silas.

“Ka momente që e dua djalin tim të vdekur”

, shkruan Sarah.

“Unë dëshiroj që ai të vritet menjëherë nga një aksident automobilistik.”

“A mund të imagjinoni të dëshironi vdekjen e fëmijës tuaj?

Nuk është diçka që unë do ta kisha menduar që do të ishte e mundur, derisa një i huaj, i veshur me kostum italian dhe me këpucë lëkure të lëmuara, më thotë që djali im 10 – vjeçar do të vdesë për disa muaj. Që ai do të ketë një vdekje të zymtë dhe të padenjë, e cila do t’i vjedhë personalitetin shumë kohë para se zemra e tij të pushojë.”

Sarah rrëfen se makthi i familjes së saj filloi kur Silas nisi të kishte dhimbje koke. Më pas mjekët i shpjeguan se Silas kishte një “masë të konsiderueshme” në trurin e tij dhe se ishte i sëmurë shumë rëndë.

Kirurgët arritën të heqin vetëm 70% të masës, sepse pjesa tjetër ndodhej shumë pranë nervave motorikë, prerja e të cilave me shumë mundësi do ta kishte paralizuar djalin.

“Disa ditë më vonë, në dhomën e lojrave të spitalit na u tha që nuk kishte më shpresë dhe se me trajtim djali ynë mund të jetonte 12 deri në 18 muaj”,

tha Sarah.

“Do të doja që ne të mos ishim takuar kurrë,”

i thotë bashkëshorti Ben, sikur fshirja e historisë së tyre dhe krijimi i një jete të ndryshme për të dy do të mund të largonte agoninë e tij.

Familja më pas vendosi të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e Silës dhe t’i vendosin një emër kësaj mase të errët dhe të frikshme, që kishin parë në monitorin e spitalit.

Silas zgjodhi “Bob” dhe kështu u vendos, Bob. Me kalimin e kohës, personaliteti i Silas filloi të zbehej, nuk ishte më në gjendje të ecte dhe nuk dukej më si ai, por Sarah thotë se ai kurrë nuk ndaloi së dashuri familjen e tij.

“Kur ishte koha për të fjetur, ai vazhdimisht na thërriste për puthje pas puthjeve. I pëshpërisja në vesh, ndërsa ai flinte, se sa shumë e donin mami dhe babi. Ai rrokullisej pa u zgjuar dhe thoshte qartë:

‘Gjithashtu, i dua shumë, shumë,’

shkruan Sarah në libër.

“Disa ditë para festës së Krishtlindjeve vendosëm pemën dhe filluam ta dekorojmë. Silas qëndronte i ulur në divan. Nuk përfshihej. Duke qëndruar në majën e shkallës dhe duke vendosur yllin në majë të pemës, m’u dyfishua agonia, sepse kuptova që ai po na linte…”

Ditën pas vendosjes së pemës së Krishtlindjeve, Sarah telefonoi onkologun për t’i thënë që kishin vendosur ta ndërprisnin kimioterapinë, gjë që nuk e habiti këtë të fundit, por tha që ishte zgjedhja e duhur.

“Silas qëndronte në shtratin tonë vetëm pak ditë pasi ndaluam kimioterapinë.”

“Të dua Splodge,”

i thotë i ati, duke i puthur faqet.

“Unë me të vërtetë të dua, babi,”

thotë Silas, duke parë përçart drejt dritares.

“Po mamin? Nuk do t’i tregosh mamit se sa shumë e do?”

e pyet Ben. “Sytë e Silas u përqëndruan në fytyrën time, që qëndronte në jastëk pranë tij dhe tha:

‘Me të vërtetë, të dua shumë shumë mami.”

“Këto ishin fjalët e fundit të Silas. Të thjeshta dhe perfekte,”

shprehet nëna e pikëlluar.

Historia e Sarah është rrëfyer nga vetë ajo në librin “Një djalë i fuqishëm: Udhëtimi i një nëne përmes vuajtjes”, i cili është botuar më 17 Gusht nga Unbound.

Të gjitha të ardhurat që do mblidhen nga shitja e librit do t’i dhurohen Qendrës së Bamirësisë për Tumorin e Trurit. Familja gjithashtu krijoi një fond pas vdekjes së Silës./tvklan.al