Dhjetëra licensa për ta kultivuar për qëllime mjekësore

Maqedonia e Veriut është një ndër vendet e paketa të Europës që ka legalizuar prej disa vitesh industrinë e kanabisit për qëllime mjekësore.

Kjo industri, për vendet që po e zhvillojnë atë, po sjell përfitime marramendëse.

Maqedonia e Veriut i bëri ndryshimet e duhura ligjore në vitin 2016, çka u mundësoi dhjetëra kompanive private të fitojnë licenca për prodhimin e  kanabisit.

Aktualisht, 27 kompani janë licencuar për prodhimin e vajit mjekësor të kanabisit, kurse në pritje të licencave, siç thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut janë 17 kompani.

Interesi duket i lartë dhe shifrat jozyrtare flasin për 70-80 kompani. 

Vetë kultivuesit thonë se industria e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore duhet të zgjerohet edhe më shumë, pasi i sjell Maqedonisë së Veriut përfitime të mëdha.

Slave Ivanovski – pronar i kompanisë “Oaza alkaloidi” :Është një degë interesante, ku Maqedonia e Veriut mund dhe ka kuadro për këtë biznes dhe për të vazhduar më tej për t’u zhvilluar. Të mos shesim vetëm lulet dhe vajin, por edhe prodhime të gatshme. Statistika jonë tregon se profiti nga eksporti i kanabisit mund të jetë më i madh nga eksporti i mishit të qengjit, verës, pjeshkëve dhe prodhimeve bujqësore në Maqedoni. Është një shans i mirë për vendin.

Kompania “5 Letters” në Krushevë të Maqedonisë prodhon kanabis për qëllime mjekësore dhe gjithnjë e më shumë po futet në tregjet botërore. Për një litër vaji të kanabisit ata përfitojnë thuajse 95 mijë euro. Kjo kompani ka të punësuar njerëz të rinj e të arsimuar dhe u ofron paga dyfish më të larta se mesatarja në Maqedoni.

Në farmacitë e vendit shiten dy lloje të vajit të kanabisit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka bërë publike të dhënat për sipërfaqet e mbjellura me kanabis, por jozyrtarisht flitet për një sipërfaqe prej rreth 140 mijë metër katrorë. Ndërkohë, thuajse çdo ditë hapen kompani të kësaj veprimtarie e që përmbajnë fjalën kanabis që do të thotë se interesimi për këtë biznes është tejet i madh.            

Kryeministri Zoran Zaev thotë se kjo industri ka hapur vende të shumta pune dhe parashikohet të sjellë përfitime deri në 100 milionë Euro në vit në arkën e shtetit.

Veç Maqedonisë se Veriut, në Europë kjo industri po lulëzon edhe në Greqi dhe Portugali, dy vende në vështirësi ekonomike që e kanë përdorur kanabisin për të ulur papunësinë dhe për të shtuar të ardhurat e buxhetit. Studimet tregojnë se tregu europian i kanabisit mjekësor mund të arrijë 55 miliardë Euro përfitime deri në vitin 2028.

Që nga viti 2018, sektori i prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore po sheh zhvillime me ritme te shpejta edhe në Amerikën e Veriut, pasi vlerësohet se përfitimet tregtare janë shumë të mëdha për t’u injoruar.

Tv Klan