Berlini, Roma dhe Vjena arritën të bien në një mendje për mënyrën se si do të zgjidhet kaosi i krijuar në Europë nga dyndjet e emigrantëve të jashtëligjshëm. Ministrat e Brendshëm të tre vendeve u takuan në Insbruk të Austrisë, aty ku ranë dakord për pikat kryesore të planit që ata do t’i parashtrojë Bashkimit Europian.

“Do t’i kërkojmë mbështetje të vërtetë të Europës për kontrollin e rreptë të kufijve të jashtëm dhe për të shpërndarë peshën e zbarkimeve që deri më sot e ka mbajtur vetëm Italia”, tha Matteo Salvini, ministër i brendshëm i Italisë.

Liderët këmbëngulin në zgjidhjen me kampe në vendet afrikane, ku të bëhet që në burim përzgjedhja e atyre që meritojnë azilin në vendet europiane. Në këtë pikë, ministrat gjermanë dhe austriakë bashkohen me Salvinin, i cili thotë se vetëm kështu do të reduktohet numri i emigrantëve që rrezikojnë jetën, duke lundruar në mënyrë klandestine në Mesdhe. Liderët kërkojnë që në të ardhmen, Brukseli t’i detyrojë me marrëveshje vendet afrikane të ripranojnë emigrantët nga këto vende, të cilët nuk plotësojnë kushtet e azilit në vendet europiane. Ndërsa deri në fund të Korrikut, Roma dhe Berlini do të kenë gati marrëveshjen për ripranimin në Itali të emigrantëve të regjistruar si të hyrë atje, por që strehohen në Gjermani.

Tv Klan