Policia australiane ka mundur të arrestojë vrasësin e dyshuar të 46-vjeçarit shqiptar në Australi, trupi i pajetë i të cilit u gjet brenda banesës së tij më 12 Tetor.

I arrestuari është Aaron Donald Carver 35 vjeç, i cili u kap ditën e premte në Queensland. Policia e akuzon atë për vrasje dhe vjedhje. 35-vjeçari do të dalë ditën e hënë para gjykatës. Ai u transferua në Adelaide, aty ku ndodhi krimi. Në aeroport Aaron Donald Carver mbuloi fytyrën me xhup dhe refuzoi t’u përgjigjej gazetarëve që prisnin aty.

46-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u gjet i vdekur brenda shtëpisë së tij më 12 Tetor në zonën e Para Vista. Policia dyshon se ai mund të jetë vrarë rreth orës 01:00 të mëngjesit të 9 Tetorit. Shqiptari jetonte me qira për rreth 6 muaj në atë banesë. Shkak për vrasjen mendohet të jetë prishja e pazareve të drogës. Në shtëpinë e viktimës u gjetën disa bimë kanabisi të kultivuara aty. Lënda narkotike ishte marrë nga autori i dyshuar pasi kishte ekzekutuar shqiptarin.

Më pas u arratis nga vendngjarja me makinën e viktimës, e cila u gjet e braktisur nga policia në një tjetër rrugë në atë zonë. Policia dyshon se viktima shqiptar dhe vrasësi kanë qenë pjesë e një grupi kriminal në Murrai Brigde. Pritet që policia australiane të bëjë të tjera arrestime për ekzekutimin  e 46-vjeçarit shqiptar. 

/tvklan.al