Droga ishte fshehur ne kroskotin e kamionit, arrestohet shoferi

Këto janë pakot me 15 kilogramë heroinë të fshehura në kroskotin e një kamioni mallrash që u kap në pikën kufitare të Kakavijës.

Droga kishte si destinacion Greqinë, por u kap pa kaluar kufirin gjatë një operacioni të policisë shqiptare dhe FRONTEX.

Bazuar në analizën e riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e Policisë Gjirokastër, në dalje u përzgjodh për kontroll një automjet tip kamion që drejtohej nga një 63-vjeçar, i identifikuar si Shpëtim Pjeshka nga Elbasani.

Pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në një vend të përshtatur në kroskotin e kamionit.

Droga ishte e ndarë në 30 pako të mbështjella me natriban të verdhë dhe të zi.

Policia vuri pranga drejtuesin e kamionit, mbi të cilin rëndon akuza për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”, ndërsa vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tv Klan