Do i shiste për 10 mijë Euro një polici të infiltruar

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 50-vjeçar nga Fushë-Kruja, që po tentonte të shiste mina me telekomandë.

Arben Elezi eshte ndaluar në Shkafanë të Ishmit dhe gjatë kontrollit iu gjetën 4 mina të lidhura me aparat celular.

Zbulimi i tij është bërë nëpërmjet një agjenti të infiltruar të Policisë së Durrësit, i cili krijoi fillimisht kontakte me 50-vjeçarin dhe më pas porosit 4 mina me telekomandë, për të cilat kërkoi t’i blinte 10 mijë Euro, ndonëse çmimi i tyre shkonte mbi 12 mijë Euro.

Vendi i shitjes u përcaktua fshati Shkafane në Ishëm, ku dhe më pas u organizua puna për ndalimin e tij.

Policia tashmë është duke kryer hetime për zbulimin e personave të tjerë që kanë bashkëpunuar për sigurimin e lëndës për prodhimin e minave me telekomandë.

50-vjeçari Elezi, rezulton të jetë emër i njohur për policinë pasi është me precedent penal për disa vepra penale. Ai është proceduar për kultivim të lëndëve narkotike, për armëmbajtje pa leje dhe njëkohësisht edhe për dhunë në familje.

Kjo nuk është hera e parë që në territorin e Qarkut të Durrësit, dhe kryesisht në Fushë Krujë, kapen mina me telekomandë, gati për t’u shitur. Gjatë vitit policia ka zbuluar dhe 5 raste të tjera, duke sekuestruar 12 mina me telekomandë të cilat ishin planifikuar të shiteshin nga 2500 deri në 3 mijë Euro copa.

Për këto raste policia ka vënë në pranga 10 persona, të cilët janë kryesisht nga Qarku i Durrësit.

Tv Klan