Bashkimi Europian ka reaguar edhe një herë për përplasjen tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiç u bëri thirrje palëve të gjejnë gjuhën e përbashkët. Komisioni Europian i bën thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë t’u japin fund provokimeve dhe të  fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve.

Maja Kocijançiç, zëdhënësja e KE-së, u shpreh:

“Ne kemi thënë gjithashtu që aktet nga Kosova dhe Serbia, që perceptohen nga ana tjetër si provokative dhe sharëse, janë shqetësuese dhe nuk çojnë në dialog dhe në normalizimin e marrëdhënieve. Ne i bëjmë thirrje të dy lidershipeve që t’u japin fund këtyre provokimeve dhe të fokusohen në  normalizimin e marrëdhënenieve midis të dy palëve përmes dialogut. BE-ja monitoron përmbushjen e të gjitha detyrimeve rajonale, që palët kanë ndërmarrë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. CEFTA është një gur themeli kyç në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, është një çështje kyçe e zonës ekonomike rajonale dhe mbulohet gjithashtu nga disa marrëveshje të stabilizim-asociimit. Ne e kemi bërë marrëveshjen tonë të qartë dhe presim që sekretariati i CEFTA-s do të ndërrmarrë masat e duhura për të siguruar respektimin e plotë të marrëveshjes. Ne e pranojmë që ka probleme, por reagimi i qeverisë së Kosovës në këtë rast nuk është qasja e duhur. Ka mënyrë sesi duhet të zgjidhen këto çështje, por mënyra me të cilën u soll qeveria e Kosovës nuk është ajo e duhura”.

Zëdhënësja e shefes së Diplomacisë Europiane nuk pranon se kjo e fundit është e njëanëshme në kuadrin e lehtësimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë reagimeve të ashpra, që ka nxitur në skenën politike të Kosovës deklarata e fundit e Mogherinit për njëanshmëri në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, ku nënvizohet se kritikohet vetëm Kosova dhe jo Serbia.

 “Nuk besoj se kjo është korrekte. Duke ditur që ju i keni ndjekur zhvillimet nga afër, nuk kam dyshim që ju jeni në dijeni të kësaj. Ne e kemi bërë të qartë në deklaratën e djeshme që qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga masa që ka anonçuar. Kjo nuk është diçka e re, pasi kemi reaguar në të njëjtën mënyrë kur u anonçua masa prej rritjes së 10% javën e kaluar. Ky është dhunim i marrëveshjes së CEFTAs dhe nuk është në frymën e marrëveshjes së stabilizim-asociimit”,

shtoi Kocijançiç.

Shefja e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini nuk ka ende një datë për raundin e ardhshëm të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.

Tv Klan