Ndonëse polumbarët janë larguar në orët e muzgut ditën e djeshme nga vendkërkimet për t’u rikthyer këtë mëngjes, qytetarët dhe banorët e zonës të mbështetur dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës, kanë kërkuar përgjatë gjithë natës për të gjetur trupin e nënës, Alma Arrazit dhe 2 fëmijëve të saj që dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna.

Qytetarëve ju janë vënë në dispozicion çdo mjet i nevojshëm për kërkimet gjatë natës në mënyrë që me varkat e tyre të gjenin në shtratin e lumit Buna trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë. Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja raporton se kërkimet kanë vijuar kryesisht në zonën e Dajçit në afërsi të Darragjatit, aty ku u gjet edhe 9-vjeçarja.

Janë shtrirë gjithashtu në zonën e Anës së Malit e po ashtu në atë të Berdicës. Ndërkohë që sot polumbarët e RENEA-s së bashku me forcat e policisë kanë mbërritur sërish në këto vendngjarje për të rifilluar kërkimet për gjetjen e 3 trupave. Teksa ka një mobilizim të gjerë të forcave RENEA, ditën e sotme pritet të mobilizohen dhe forcat e ushtrisë për gjetjen e trupave.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se ministri i Brendshëm Taulant Balla, i ka kërkuar homologut të tjj në Mal të Zi të ndihmojnë në kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe dy fëmijëve që dyshohet se janë mbytur në lumin Buna. Kërkesa është për të nisur kërkimet në afërsi të derdhjes së lumit Buna në detin Adriatik.

Ashtu siç u raportua dhe ditën e djeshme, dhuna psikologjike dhe fizike e ushtruar sistematikisht ndaj 39-vjeçares, Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve të saj të mitur, dyshohet se shtyu këta fundit të vetëmbyten duke u hedhur në ujërat e lumit Buna. Ishte një peshkatar i zonës që pikasi në ujërat e lumit trupin e pajetë të vajzës së madhe të famijes mbrëmjen së shtunës.

Ndërkohë, familja Arrazi ka hapur dyert e mortit për vajzën 9-vjeçare, e cila u gjet e mbytur në lumin e Buna. Lamtumira e fundit do t’i jepet të voglës ditën e sotme në orën 14:30 në Shkodër.

E mitura vetëm 9 vjeç nuk kishte shenja dhune në trup, por pavarësisht kësaj ka dyshime se së bashku me të ëmën, motrën dhe vëllain e saj janë dhunuar nga i ati i tyre, Ergys Arrazi, çka i ka shtyrë ata drejt aktit fatal. Ky i fundit tashmë është arrestuar nga policia, e cila informon se 31-vjeçari rezulton person i dënuar më parë për kultivim kanabisi dhe i proceduar për dhunë në familje. (LEXO MË SHUMË)

Nga verifikimet e kryera, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj, para se të ndërmerrnin aktin e vetëvrasjes ka takuar kunatën e saj, bashkëshorten e vëllait të Ergys Arrazit, të cilës nuk i ka shprehur asnjë shqetësim apo dhënë indicie se do kryente këtë akt./tvklan.al