Keli, 25-vjeçari i cili prej 16 orësh kishte mbetur i bllokuar në gërmadhat e një prej pallateve të shembura në Thumanë, nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë.

Pavarësisht përpjekjeve gjatë gjithë ditës së 4 grupeve të specializuara të shpëtim kërkimit të Ushtrisë, repartit RENEA, zjarrfikësve dhe njësisë së Ushtrisë së Kosovës, nuk qe e mundur nxjerrja nga gërmadha të të riut.

Më herët tvklan.al solli pamje nga operacioni për shpëtimin e tij, ku 25-vjeçari shfaqej plotësisht vetëdijshëm dhe përgjërohej për ndihmë.

Keli gjeti vdekjen gjatë orëve të mbrëmjes, duke e çuar kështu numrin e viktimave nga tërmeti në 23.

Ora 21:19-Të gjithë për të shpëtuar Kelin, i riu lufton me vdekjen nën gërmadhat e pallatit në Thumanë (Ekskluzive)

Një operacion që zgjat që prej orës 6 të mëngjesit të kësaj të marte, ku 4 grupe të specializuara të shpëtim kërkimit të Ushtrisë, repartit RENEA, zjarrfikësve dhe njësisë së Ushtrisë së Kosovës, nuk ka bërë të mundur ende nxjerrjen nga gërmadhat të një të riu, në një prej pallateve të shembura në Thumanë.

Plotësisht i vetëdijshëm, i plagosur, me fjalë që i dalin nga thellësia e shpirtit, Keli përgjërohet për ndihmë dhe u lutet pjestarëve të njësive të shpëtimit që mos ta lenë të vdesë.

Tvklan.al sjell pamjet ekskluzive nga operacioni për shpëtimin e tij, i cili ende nuk ka përfunduar.

Pavarësisht përpjekjeve prej më shumë se 15 orëve, Keli nuk është arritur të nxirret nga rrënojat, pasi është bllokuar në një bllok betoni që nëse lëvizet pa kujdes, i rrezikon jetën.

Një tjetër vështirësi është dhe struktura me arkitrarët, që janë sipër tij dhe çdo lëkundje mund ta fundoste më poshtë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen nga rrënojat të gjallë.

Katër grupet e specializuara ende nuk kanë arritur të gjejnë një mënyrë për t’i shpëtuar jetën. Nga ana tjetër, doktorët i kanë qëndruar gjatë gjithë kohës pranë, për t’i kontrolluar parametrat jetësorë./tvklan.al