Këshilli Politik mblidhet pa opozitën jashtëparlamentare


Këshilli Politik mblidhet pa opozitën jashtëparlamentare

19:34 22/07/2020

Rama: Ndryshimet kushtetuese nuk e prekin “5 Qershorin” 

Mungesa e opozitës jashtë parlamentit nuk i mbajti gjatë në tryezën e Këshillit Politik përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës parlamentare. 

Pas 40 minutash, në dalje nga mbledhja, Kryeministri Rama i kujtoi Lulzim Bashës se po përsëriste gabimet e të shkuarës, duke munguar në takimet kur diskutohen çështje të kësaj rëndësie, siç janë ndryshimet kushtetuese.

Sa u takon çështjeve që opozita kërkonte të diskutoheshin në Këshillin Politik, duke përjashtuar çdo mundësi për t’u ulur për ndryshimet kushtetuese, sqarimet i dha Damian Gjiknuri.

Kryeministri i siguroi sërish demokratët se marrëveshja e 5 Qershorit nuk preket dhe se ekspertët zgjedhorë e kanë siguruar se ndryshimet e mëtejshme në Kodin Elektoral që do të lindin si nevojë pas ndryshimeve kushtetuese, nuk e cënojnë atë.

Thirrja për të mbështetur nismën për ndryshime kushtetuese Lulzim Bashës i erdhi edhe nga grupi i opozitës parlamentare, të kryesuar nga Myslim Murrizi, që a rikonfirmoi votën kundër marrëveshjes se 5 Qershorit në seancën e të enjtes.

Gjate paradites, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bykybashkia shkëmbyen mesazhe elektronike për pjesëmarrjen në mbledhjen e kësaj pasditeje të Këshillit Politik, me opozitën jashtë-parlamentare që kërkon adresimin e disa çështjeve që japin garanci për luftën kundër shit-blerjes së votës dhe me mazhorancën, që kërkon të diskutohen ndryshimet kushtetuese.

Në këtë pikë, kur palët janë larg, Kryeministri Rama paralajmëroi se Këshilli Politik nuk do të mblidhet të enjten, siç kërkuar demokratët.

Tv Klan




Të ngjashme