Kina në fokusin e Samitit të NATO-s




Kina në fokusin e Samitit të NATO-s

15:36 14/06/2021

Liderët diskutojnë edhe për rrezikun nga sulmet kibernetike

Krerët e 30 vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u mblodhën këtë të hënë në Bruksel. Në fokus të samitit janë shumë sfida, me të cilat përballet aleanca, ku fokusi është kërcënimi i sigurisë nga Kina dhe sulmet kibernetike.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg nevojitet një reagim i përbashkët për sfidat që paraqet fuqizimi i vazhdueshëm i Kinës për vendet e aleancës. Vëmendja e madhe që ka marrë rreziku i Kinës në takimet ku ka marrë pjesë Joe Biden në turin e tij europian, kanë bërë që shumë analistë ta përshkruajnë këtë moment si nisjen e luftës së ftohtë me Kinën.

Por pavarësisht sfidave të reja tepër serioze që vijnë nga Kina, Rusia vazhdon të jetë problemi më i madh i aleancës ashtu si 7 dekada më parë kur u krijua aleanca. Perëndimi beson se beteja kryesore me rusët tani është ajo kibernetike. Ndaj dhe Karta e Atlantikut duhet rinovuar për të përfshirë edhe kundërpërgjigjen ndaj kësaj sfide.

Pjesëmarrja e Joe Biden në këtë samit shënon ndryshimin total të kursit të Uashingtonit pas largimit të Donald Trump. Biden tashmë e ka prioritet aleancën për sigurimin e interesave amerikane. Të mërkurën Biden pritet të takohet me Putinin në Gjenevë.

Tv Klan





Të ngjashme