George Frendo: Mos u vetëflijoni! Jehovai nuk është Kisha Ungjillore

Kisha Katolike del kundër dhe distancohet nga sektet fetare që në emër të dashurisë për Zotin vetëflijohen. Nisur nga ngjarja tronditëse e Kombinatit, Mon Sinjor George Frendo kujton se jeta është dhuratë, ndërsa aktin e familjes Josifi e quan vetëvrasje.

“Vetëvrasja është mëkat. Kam lexuar shumë këto ditë në gazetat fjalën “vetëflijim”. Ky është një eufemizëm krejt i gabuar. Kujt bëhet “flijim” në vetëvrasje? Sigurisht jo Zotit, i cili i ka komunikuar jetën atij personi si dhuratë dhe ky e ka hedhur poshtë. Kujt bëhet “flijim” pra? Familjarëve? Kam pasur raste të njoh familje brenda të cilave kanë pasur një vetëvrasje. Për sa shumë kohë kanë mbetur të tronditur, të frikësuar, të rraskapitur. Pra le të jemi të sinqertë e të flasim troç. Është absurd të quajmë vetëvrasjen, “vetëflijim””.

Frendo nuk e ligj vetëvrasjen e nënë e bijë Zhaneta dhe Anisa Josifi as me Kishën Ungjillore.

“Dëshiroj të them se është bërë një padrejtësi me Kishën Ungjillore kur disa gazetarë kanë identifikuar sektin e “Dëshmitarëve të Jehovait” (ë themeluar në vitin 1870 nga Charles Russell) me Kishën Ungjillore. Edhe pse këta përdorin Biblën, por e interpretojnë në mënyrë shumë të çuditshme, krejt e ndryshme nga mënyra si e kuptojnë kishat”.

Nga ana e tyre edhe përfaqësuesit e sektit Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan që anëtaret e familjes Josifi të ishin pjesë e tyre. Do të jenë hetimet e prokurorisë ato që do të tregojnë se cilin grup fetar predikonin Zhaneta Josifi me të bijat.

Klan Plus