Policia e Elbasanit mëngjesit e kësaj të marte ka finalizuar operacionin e koduar “Bradasheshi”. Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ka arrestuar një 22-vjeçar banues në Durrës, i cili u kap në flagrancë duke transportuar 13 shtetas të huaj nga vendet e treta.

A.D. ishte prej kohësh nën vëzhgim nga forcat e rendit, pasi këto të fundit kishin informacione se ai transportonte shtetas të huaj dhe i ndihmonte ata të kalonin kufirin.

I riu ra në pranga në aksin rrugor Elbasan-Peqin në fshatin Bradashesh, duke transportuar me një mjet të marrë me qira, 13 shtetas sirianë, për të kaluar kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti dhe dy aparate celular. Tashmë 22-vjeçari është në duart e Prokurorisë dhe shumë shpejt do të përballet me Gjykatën e Elbasanit./tvklan.al