Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ashtu siç kishte vendosur në mbledhjen e dy ditëve më parë, KLD kërkoi nga Prokuroria që Ministri të ndiqet penalisht për disa akuza në lidhje me kanosjen, fyerjen, intimidimin dhe denigrimi e gjyqtarit Arjan Aliaj dhe gjyqësorit në tërësi.

Por Ministri Tahiri, në një konferencë për shtyp, e cilësoi të paprecedentë kallëzimin.

“Të nëntë anëtarët e “Këshillit të Lartë të Pasurisë dhe Padrejtësisë”, pasuria e deklaruar në institucionet përkatëse gjatë vitit 2015 të mbledhur bashkë i shkon 5 miliardë e 760 milionë lekë. Këta miliarderë në KLD po t’i mbledhësh bashkë shkojnë 5 miliardë e 760 milionë lekë pasuri e deklaruar, kanë konsumuar një akt të paprecedentë duke kallëzuar penalisht, sepse kam denoncuar publikisht një gjyqtar që ka konsumuar paligjshmëri në vlerësimin tim”.

Sipas tij, paditë kanë për qëllim që të frenojnë denoncimet e tij ndaj gjyqtarëve të korruptuar.

“Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka fytyrën e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit. Është ‘’Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë’’. Dhe jo me një, por me një milion padi penale, unë nuk do mbyll gojën dhe nuk do më kenë vetëm mua përball por do të kenë të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan Reformën në Drejtësi dhe drejtësinë reale”.

Ministri Tahiri e ka akuzuar gjyqtarin Arjan Aliaj për lirim të disa personave të dënuar për vepra të rënda penale, pasi ai vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakon, me kërkesë të Prokurorisë, që po heton për pajisjen italiane të përgjimit.

Tv Klan