“Rrëzojmë kërkesën e subjektit Partia Uniteti Kombetar”.

Me këtë vendim të mesditës së hënë, për të mos çregjistruar nga gara elektorale partinë Uniteti Kombëtar, Kolegji Zgjedhor lë në fuqi datën 30 Qershor si datën e zgjedhjeve lokale. Nisur nga dekreti i Presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve, aleati i Ramës, Idajet Beqiri, kërkoi të çregjistrohet nga procesi.

Kërkesa iu hodh poshtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk e njeh dekretin e Presidentit dhe tani edhe nga Kolegji, që lë në fuqi vendimin e Komisionit.

Idajet Beqiri thotë se edhe për të dekreti i Presidentit ishte nul, por ai e nisi procedurën për t’i dhënë formë të prerë debatit publik që nisi për ligjshmërinë e zgjedhjeve.

“Kur ndodhësh në dilema të tilla zgjodhëm këtë rrugë dhe nuk bëmë gabim”.

Si përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ashtu dhe Beqiri e cilësuan dekretin e presidentit si akt administrativ individual. Ata sqaruan se ishin bazuar ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Qershorit te vitit 2017 për t’iu drejtuar Kolegjit. Gjykata Kushtetuese ishte shprehur se nuk mund t’i shqyrtoje aktet administrative.

Vendimi i Kolegjit, Gjykatës më të lartë për proceset zgjedhore, ishte unanim, me një votim 5 me zero. Ai është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankimim.

Tv Klan