Një 40-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap me armë dhe me drogë. Policia ka njoftuar këtë të shtunë se ndaj E.R. kishte informacione në rrugë operative se tregtonte kokainë, kanabis dhe ekstazi në zonën e Freskut dhe Kinostudios, në Tiranë.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, u bë e mundur që gjatë zhvillimit të operacionit, i cili u quajt “Kombinimi”, në zonën e Freskut, të kapej në flagrancë  40-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Kontrolli ka vijuar në banesën e tij, ku policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”,  doza të tjera me kokainë, kanabis sativa dhe ekstazi, si dhe peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./tvklan.al