“Zgjedhjet e 25 Prillit thelbësore për integrimin”

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miratoi këtë të enjte progres – raportin për Shqipërinë duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave. Sipas raportit zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një provë e rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, dhe se shitblerja e votës duhet të ndiqet penalisht.

“Zgjedhjet e 25 prillit 2021 do të jenë thelbësore për konsolidimin e strukturave demokratike të vendit dhe për integrimin në BE; Grupi shpreh shqetësim për pretendimet e blerjes së votës dhe kujton se ndjekja penale është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 Mars 2020”

Ndërsa për reformën elektorale raporti vlerëson marrëveshjen e 5 qershorit 2020, por e quan dështim faktin që partitë politike nuk u mbështetën aty.

“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezultuan në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar.”

Në raport vlerësohet progresi i bërë në zbatimin e reformës në drejtësi, por kërkohen ndryshime të prekshme për një gjyqësor të pavarur dhe funksional, si parakusht për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Raporti nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme. Ndërsa për paketën anti-shpifje inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020.

Tv Klan