Komisioni i veprimtarive prodhuese ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës ndryshimin në ligjin e legalizimeve i kthyer në kuvend me dekret të kreut të shtetit për t’u riparë. Edhe pse në mbledhjet e kaluara mbizotëroi fryma e konsensusit mes palëve, kalimi i kompetencave kryesore të procesit të legalizimit nga pushteti vendor dhe kalimi i tyre tek ALUIZNI, ndan qëndrimet e mazhorancës dhe opozitës.

Ylli Bufi: “Është një deformim i rëndësishëm i Kushtetutës dhe i ligjit të pushtetit vendor, sepse kompetenca të tilla si ajo e pronësisë së qeverisjes vendore, apo kompetenca që ka të bëjë me organizimin e këtyre zonave. Këto kompetenca të rëndësishme në projektin e paraqitur vazhdojnë t’i jepen ALUIZNI-t.”

Reshep Uka: “Kërkesat dhe pretendimet kryesore kanë qenë  për t’i dhënë kompetenca pushtetit vendorë, kjo nga ana jonë nuk ka munguar asnjëherë, po duhet të kemi parasysh që është një ligj integral, i plotë ku përcakton një agjenci, ku do të ketë një bashkëpunim dhe një bashkërendim që do të thotë që duhet ët ketë disa ndarje detyrash.”

Një nga ndryshimet kryesore që ju bënë ligjit të miratuar 2 muaj më parë, i jep kohë 2 muaj pushtetit vendorë për kualifikimin e ndërtimeve pa leje e nëse kjo nuk realizohet është ALUIZNI që vazhdon procesin. Po kështu ALUIZNI detyrohet me këto ndryshime të kalojë deri më 1 gusht listën e parë të pronarëve të tokës që duhet të kompensohen. Të pandryshuara mbeten  nenet e kundërshtuara nga opozita që i japin ALUIZNI-t të drejtën të miratoi pa i miratuar në KKRT vendimet për dhënien e lejeve të legalizimit.

Ndërkohë edhe procesi i urbanizimit të zonave informale do të kryhet po nga ALUIZNI që është një tjetër kompetencë që i hiqet pushtetit vendor./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama