Konfirmohet vrasja e një tjetër të burgosuri shqiptar në Greqi – TV KLAN

Konfirmohet vrasja e një tjetër të burgosuri shqiptar në Greqi

Autoritetet greke kanë konfirmuar vrasjen e një tjetër shqiptari në burgun famëkeq të Koridhalos. Bëhet fjalë për ngjarjen e datës 27 Janar 2019, kur në qeli u gjet i vdekur një 34-vjeçar shqiptar. Në atë kohë, në shtypin grek raportohej se i burgosuri shqiptar dyshohej të kishte humbur jetën për shkak të mbidozës së lëndëve narkotike.

Mirëpo, së fundmi policia greke ka konfirmuar se ai është vrarë. 34-vjeçari shqiptar Bandiol Tusha humbi jetën nga mbytja. Ky është rezultati i autopsisë, sipas mediave greke. Këto të fundit shkruajnë se ai ishte pjesë e “Mafias së burgut” që drejtohet nga shqiptari Klodian Lekocaj. Pikërisht ky i fundit dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e tij.

34-vjeçari shqiptar që u mbyt në qeli u kishte ofruar strehim dy të dyshuarve për vrasjen e avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos. Sipas mediave të Athinës, kreu i “Mafias së burgut” të Koridhalos, Klodian Lekocaj, kishte tentuar ta atribuonte vdekjen e 34-vjeçarit shqiptar për shkak të helmimit. Madje, ai kishte kërkuar edhe komunikim me gazetarët që çështjen ta bënte mediatike për të zhvendosur vëmendjen.

Disa ditë para vrasjes së 34-vjeçarit, më 14 Janar në burgun e Koridhalos ishte vrarë Arbër Bako, edhe ky pjesë e organizatës së Klodian Lekocaj, dhe sipas mediave greke, policia zbuloi se urdhrin për ekzekutimin e Bakos e kishte dhënë pikërisht Lekocaj. /tvklan.al

Kategori
KronikeTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*