Koreja e Jugut ka hedhur akuza kundër Koresë së Veriut se ka tentuar të vjedhë teknologjinë e kompanisë farmaceutike Pfizer për prodhimin e vaksinave kundër Covid-19.

Informacionet janë publikuar nga shërbimet e inteligjencës në Korenë e Jugut dhe ende nuk dihet nëse hakerat e Koresë së Veriut kanë arritur të vjedhin të dhëna apo jo.

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Koresë së Jugut ka publikuar detaje rreth sulmit të pretenduar. Lajmi është publikuar në mediat lokale, por ende kompania amerikane nuk ka reaguar rreth këtyre pretendimeve.

Më herët në Nëntor të vitit të kaluar, Microsoft ka deklaruar se të paktën nëntë organizata shëndetësore duke përfshirë Pfizer ishin në shënjestër të organizatave të mbështetura nga Koreja e Veriut dhe Rusia.

Sipas paralajmërimeve nga Microsoft, grupet e Koresë së Veriut të quajtur Zink dhe Cerium, dhe një grup rus me nofkën Fancy Bear, ishin përgjegjës. Nga ana tjetër Kremlini ka mohuar të jetë përgjegjëse për këto sulme, por nga Koreja e Veriut ende nuk ka asnjë reagim.

Koreja e Veriut ende nuk ka raportuar një rast të vetëm të koronavirusit, por vendi ka porositur rreth 2 milionë doza nga kompania AstraZeneca./tvklan.al