ISHP: Mund të transmetohet në të gjitha zonat klimaterike

“Fakt: Koronavirusi mund të transmetohet edhe në zona me klimë të lagësht dhe të nxehtë”. Kështu shprehet në një postim në rrjetet sociale Instituti i Shëndetit Publik, që thekson se nga të dhënat e deritanishme, rezulton se koronavirusi mund të transmetohet në të gjitha zonat klimaterike.

“Nga të dhënat e deritanishme koronavirusi i ri mund të transmetohet në të gjitha zonat klimatike, përfshirë këtu edhe zonat me klimë të lagësht dhe të nxehtë“, thuhet në postimin e ISHP.

Apeli i këtij Instituti është që pavarësisht klimës, qytetarët duhet të marrin masat mbrojtëse, nëse jetojnë apo udhëtojnë në zona ku ka prani të Covid-19.

“Mënyra më e mirë e mbrojtjes nga virusi Covid-19 është larja e shpeshtë e duarve me ujë e sapun. Kjo eliminon virusin, i cili mund të jetë i pranishëm në duart tuaja dhe në këtë mënyrë ju shmangni infeksionin që mund të ndodhë pra prekja e syve, hundës apo gojës tuaj”, thekson Instituti i Shëndetit Publik./tvklan.al