Kosova mund të pranohet anëtare e FIFA -s në Kongresin që do të mbahet në Meksikë.

Pasi u bë pjesë e UEFA-s, një tjetër hap i rëndësishëm u hodh me Këshillin Drejtues të FIFA -s, që i kërkoi Kongresit të zgjidhë pozitivisht kërkesat e Kosovës dhe Gjibraltarit.

Këshilli Drejtues i FIFA-s u shpreh po ashtu që në rast anëtarësimi, Kosova dhe Gjibraltari do të duhet të marrin pjesë në kampionatin botëror që do të mbahet në Rusi në vitin 2018.

FIFA do të ngarkojë UEFA -n të zgjidhë çështjet teknike që kanë të bëjnë me shortin e eleminatoreve.

Premtimin për pranimin e Kosovës në familjen botërore të futbollit e bëri vetë presidenti i zgjedhur së fundmi, Xhani Infantino, që u shpreh se FIFA do të ndjekë shembullin e UEFA-s.

Shanset pra janë të mëdha dhe më pas do të mbetet edhe një çështje tjetër për t’u zgjidhur.

Ajo e lojtarëve që do të duan të luajnë për Kosovën.

Momentalisht, ende nuk ka një vendim nëse të tillë si Xherdan Shaqiri apo Granit Xhaka do të kenë mundësi të zgjedhin.

UEFA i kërkoi një mendim të specializuar FIFA -s në Kongresin e 3 Majit, por në FIFA këtë do ta vendosë Komiteti i Statusit të Lojtarit.

Zvicra trembet se mund të humbasë lojtarët më të rëndësishëm si Shaqirin, Xhakën, Kasamin, Mehmedit apo Xhemailin, ndaj ajo ishte kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

Pritet që çështja e futbollistëve të zgjidhet pas Euro 2016-ës.

Tv Klan