Kapen 400 kilogram kokainë në Kosovë, ngarkesa kaloi nga porti i Durrësit dhe u ndoq nga policia



Kapen 400 kilogram kokainë në Kosovë, ngarkesa kaloi nga porti i Durrësit dhe u ndoq nga policia

13:47 17/05/2021

Këto janë kutitë e mishit të nisura nga Brazili ku fshiheshin të paktën 400 kilogram kokainë. Droga u kap në Kosovë, në përfundim të një aksioni ku bashkëpunuan autoritetet italiane dhe ato shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Mësohet se sinjalizimi i parë për sasinë e madhe të kokainës të nisur nga Amerika Latine erdhi nga DEA amerikane. Kamioni kaloi nga portet italiane dhe prej andej në Portin e Durrësit. Burimet thane se mjetit që rezultonte se transportonte mish iu vendos një çip për ta ndjekur lëvizjen e tij deri në destinacion. Mësohet se kamioni mbërriti rreth 15 dite më parë në Durrës dhe që atëherë autoritetet kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të kokainës.

Droga ishte destinuar për në Lipjan të Kosovës, ku policia ka ndërhyrë për të bllokuar kamionin. Ngarkesa ishte porositur nga një kompani e themeluar 7 muaj më parë nga 2 biznesmenë njëri nga Kosova dhe tjetri nga Shqipëria. 

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se do të japin detaje për operacionin mbrëmjen e sotme. Paraprakisht mësohet se ka disa te arrestuar për një nga ngarkesat më të mëdha me drogë që ka kaluar në Portin e Durrësit. Mes të ndaluarve është shoferi i kamionit dhe një person tjetër ende i paidentifikuar.

Tv Klan







Të ngjashme