Qeveria e Kosovës ka miratur projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Projektligji që duhet të miratohet në parlamentin e Kosovës, përcakton masat, autoritetet përgjegjëse dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se “ky ligj është tepër i rëndësishëm në këtë periudhë edhe sa i përket luftës kundër krimit,korrupsionit, por edhe parandalimit të financimit të terrorizmit dhe të ekstremizmit”, raporton Zëri i Amerikës.

Në mars të vitit 2015 Kosova miratoi ligjin që dënon përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja. Ligji pasoi përfshirjen e rreth 300 qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak që nga viti 2012. Mbi 50 prej tyre kanë humbur jetë në ato luftëra, ku edhe më tej sipas autoriteteve mund të jenë rreth 70 qytetarë të Kosovës./tvklan.al