Donika Prela, drejtuese e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të përgjimeve të dosjes 339 nga gazeta ‘Bild’. Ajo bëri një rezyme se çfarë kishte ndodhur më këtë çështje që nga nisja e hetimeve në Dhjetor 2016, hetim të cilin e ndau  në tre faza.

“Nga fillimi i proçedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të Policisë së Shtetit”.

Në Shtator të vitit 2018, thotë Prela, kur dosja kaloi në duart e prokurorëve Vladimir Mara e Dritan Prençi, historia ndryshoi.

“Pas largimit të prokurorit Besim Hajdarmataj për shkak të caktimit të përkohshëm pranë Prokurorisë Pogradec, me vendimin e drejtuesit të prokurorisë, datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit,  prokurorët  z.Vladimir Mara dhe z.Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe në disa procedime të tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë. Në një periudhë kohore më pak se 20 ditë pas zëvendësimit të Prokurorit, me urdhrin e datës 18.10.2018 nga prokurorët e çështjes, janë regjistruar emrat e 40 subjekteve, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndryshme. Po kështu në fund të muajit Tetor 2018, një muaj pasi dosja është marrë në hetim, janë nxjerrë gjithsej 44 masa sigurimi arrest në burg për persona të ndryshëm për veprat penale të sipërcituara”.

Sipas Prelës, deri në Tetor 2018, CD-të me pergjime nuk kanë qenë zbardhur, por ka patur transkriptime te pjesshme.

“Janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019. Në Tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të patranskriptuara në tërësi dhe vijimësi, por  ka patur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike”.

Drejtuesja e komanduar e Krimeve të Rënda shpjegoi edhe arsyet përse sipas saj është e pamundur që të ndahen hetimi për zgjedhjet e 2017 dhe ai për trafikun e drogës.

“Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve për këtë vepër penale, sa kohë që elementë të saj janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, sa kohë që kjo ndarje nuk është bërë në momentin e konstatimit të tyre”.

Numri një i Krimeve të Rënda u shpreh se kjo është dosja me madhe që ka hetuar Prokruroria e Krimeve të Rënda dhe mohoi akuzat per zvarritje të hetimeve.

“Kjo është dosja më e madhe në historinë e Prokurorisë. Deri tani numri i personave nën hetim është 74”.

Prela, e cila në këtë dalje për mediat shoqërohej nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

Tv Klan